Patatja është një ndër perimet më të konsumuara dhe me shumë shije. Konsumimi i patates, përveç se shijon së tepërmi, ka edhe mjaftë vlera ushqyese, çka ndihmon në luftën kundër sëmundjeve të ndryshme. Kemi disa lloje patate që ndryshojnë në ngjyrë dhe forma.
Vlerat ushqimore të patates
Ato janë të mbushura plotë me vitamina dhe minerale dhe kanë më pak kalori se orizi. Amidoni është lënda bazë përbërëse e patates. Sasia dhe cilësia e amidonit përcakton jo vetëm rëndësinë e patates si produkt ushqimor, por edhe veçoritë teknologjike si lëndë e parë për përpunimin industrial.
Si burim i proteinave të një cilësie të lartë, patatet zënë një vend të rëndësishëm midis produkteve të tjera ushqimore me origjinë bimore.
Patatja është një burim i mirë vitaminash si ajo C, B1, B2, B5 si edhe magnezit, kaliumit, zinkut dhe bakrit.
Gjatë përdorimit të patates duhet të kemi shumë kujdes nga SOLANINA. Kjo është një substancë me veti helmuese, e cila në mbi dozë mund të jetë fatale. Rritja e përmbajtjes së SOLANINëS vihet re tek patatet me ngjyre të gjelbër (të ndenjura në dritën e diellit), si dhe në patatet që rrinë shumë në ujë dhe ekspozohen në dritë. Gjatë vjeljes patatet nuk duhet të lihen në diell. Patatet gjejnë përdorim të gjerë në tryezat tona. Në vijim kemi renditur disa receta gatimi me patate.