Prerja e qepës është një nga provat e para me të cilat përballen konkurrentët e Masterchef Albania. Duket si provë e thjeshtë, por edhe prerja e qepës kërkon teknikë.
Qepa është një nga përbërësit bazë të kuzhinës sepse forcon shijen e ushqimit. Përveç kësaj ajo është shumë e pasur dhe me vitamina e kripëra minerale. Në shumicën e pjatave që gatuajmë, patjetër që do të kemi edhe qepën. Përveç disa recetave të cilat i përdorim qepët të paprera ose veç gjysmë të prera, në shumicën e recetave na duhet që ti presim ato në feta ose ti grijmë hollë.
Kur blejmë qepët duhet të sigurohemi që ato të jenë të forta, pa njolla në lëkurë e pa sythe. Fillojmë me mënyrën e parë të prerjes së qepës atë në fije të holla ose à la julienne.
Pasi marrim qepën i presim dy anët, fundin dhe majën, qërojmë lëkurën sipër dhe e ndajmë përgjysmë. Marrim një nga gjysmat dhe e mbështesim nga ana e sheshtë mbi dërrasën e punës. Fillojmë ta presim në feta të holla me ndihmën e një thike të mprehtë dhe duke e mbajtur me gishtat sipër që ndihmojnë edhe për trashësinë e fetave. Duhet të kemi kujdes në lëvizjen e gishtave, nëse duam feta shumë të holla të cilat karakterizojnë pikërisht këtë prerje, duhet të lëvizim gishtat 1-2 mm.
Për të bërë një prerje profesionale dhe të shpejtë duhet të kemi parasysh që të mos e ngremë shumë dorezën e thikës dhe maja e saj duhet të rrijë gjithmonë në të njëjtin pozicion.
Mënyra tjetër e prerjes ose më mirë e grirjes së qepës është edhe ajo në formë kubike.
Për këtë lloj prerje duhet të kemi kujdes që pjesën e poshtme të qepës s’duhet ta presim, por veç ta pastrojmë, ti heqim me kujdes ato fijet. Këtë gjë e bëjmë pikërisht që gjatë prerjes pjesa e fundit të qëndrojë e bashkuar. Presim pjesen sipër, majën dhe qërojmë qepën. E presim përgjysmë dhe një nga gjysmat e vendosim nga ana e sheshtë , mbi dërrasën e punës. Me ndihmën e një thike të mprehtë presim në feta qepën duke pasur kujdes që të mos shkojmë deri në fund pasi presim majën që mban fetat gjatë prerjes.
Më pas, bëjmë me kujdes një prerje horizontale e paralele me dërrasën e punës, duke pasur kujdes që të mos shkojmë deri në fund që të presim majën. Bëjmë një prerje të dytë rreth 1 cm nga shtresa e parë, më shumë prerje horizontale bëjmë, do të kemi copa kubike më të vogla.
Presim qepën në formë kubike dhe e përdorim në recetat tona.
4 comments
po po shefat e master chef e presin qepen ashtu
me pelqejne gatimet
Recetat jan te mrekullushme
Programi i Masterchef Albania,ishte programi me i pelqyer,recetat ishin te mrekullueshme,shpresoj qe Shefat te vazhdojne kete program e te evidentojne talente te reja ne fushen e kulinarise.