Pressure test quhet prova e radhës, një test nën presion. Në këtë test duhet të gatuajmë një pjatë ku përbërësi kryesor duhet të jetë kërpudha. Koha në provat e programit Masterchef Albania është shumë e limituar, duhet të shtojmë edhe emocionet, tensionin dhe faktin që gatuan përpara shefave të vërtetë dhe të gjitha këto bëjnë që ndonjëherë të mos arrish rezultatin e dëshiruar. Megjithatë këtë pjatë e përfundova me sukses. Kjo recetë është një tavë me kërpudha e pjekur në furrë dhe e shoqëruar me një salcë djathërat me shafran.
Tavë me kërpudha shoqëruar me salcë djathërash - MasterChef Albania
Sasia: 0
Përbërësit
Përbërësit për 4-5 persona
- 600 gr kërpudha mikse nëse dëshironi
- 300 gr patate
- 50 gr djathë parmixhan I grirë
- 50 gr djathë provola ose kaçkavall
- 2 vezë
- 2-3 lugë majdanoz i grirë
- 1 thelpi hudhër
- 2 lugë gjelle vaj ulliri
- 2 lugë qumësht
- pak kripë
- pak piper
- pak trumzë
Përbërësit për salcën
- 100 ml pana të freskët
- 50 gr djathë parmixhan
- 50 gr djathë gorgonzola
- 50 gr djathë provola picante
- 50 gr djathë grana
- 10 gr shafran pluhur
- pak kripë
- pak piper
Përgatitja
- Pasi kemi pastruar kërpudhat mirë , I fshijmë me një pecetë të pastër. Kujdes sepse kërpudhat e freskëta nuk duhen larë, nëse kanë akoma copëza dheu mund ti hiqni me pecetë. Presim në copa kërpudhat dhe I hedhim në një tigan me vaj ulliri dhe hudhrën. I kavërdisim pak derisa të zbuten. Më pas I hedhim në një enë qelqi duke hequr thelpinë e hudhrës. Ndërkohë vendosim të ziejnë edhe patatet në një tenxhere me ujë e kripë. Pasi kanë zier, I qërojmë dhe I shtypim. I hedhim në një enë qelqi ku shtojmë edhe kërpudhat.
- Vazhdojmë të shtojmë edhe përbërësit e tjerë me radhë vezën, pak kripë, pak piper, majdanozin e grirë, trumzën, qumështin e djathrat. I trazojmë mirë derisa të arrijmë ti përziejmë të gjithë përbërësit. Marrim disa tava të vogla për një person dhe I lyejmë me pak vaj ulliri ose me pak gjalpë, i mbushim me masën e përgatitur dhe sipër i vendosim një gjysmë kërpudhe. Vendosim tavat të piqen në furrë të nxehtë 200*C përreth 20-30 minuta ose derisa ta shohim që sipër është krijuar një kore me ngjyrë të kuqe të bukur.
- Përgatisim salcën ndërkohë. Në një tenxhere hedhim panën, djathrat e copëtuara, pak kripë e pak piper. I trazojmë mirë bashkë dhe I vendosim në zjarr të ngadaltë derisa të shkrijnë komplet djathrat. Në fund shtojmë edhe shafranin dhe e përziejmë. Salca do të marrë një ngjyrë të bukur të verdhë. Hedhim salcën në gota të vogla.
- Nxjerrim tavën me kërpudha nga furi dhe e shërbejmë të shoqëruar me salcën e përgatitur.